Të huajt blenë një rekord pronash prej 561 mln euro, 34 për qind e investimeve të huaja
Pasuritë e paluajtshme kryesojnë investimet e huaja, duke zënë mbi një të tretën e totalit.

Pasuritë e paluajtshme vijojnë të dominojnë investimet e huaja në Shqipëri, duke kryesuar për të katërtin vit radhazi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 investimet e të huajve në prona arritën në një rekord prej 561 milionë eurosh, me një rritje prej 48 për qind krahasuar me vitin 2024. Ky sektor përbënte më shumë se 34 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte, nga 24 për qind që ishte një vit më parë.
Tremujori i fundit i vitit 2025 shënoi gjithashtu nivelin më të lartë të investimeve në këtë sektor, me 158 milionë euro, ose 43 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024. Rritja e tregut të pasurive të paluajtshme është mbështetur në mënyrë të konsiderueshme nga kërkesa e investitorëve të huaj, veçanërisht në zonat bregdetare, ku çmimet, megjithëse në rritje, mbeten konkurruese krahasuar me rajonin.
Rritje e fortë e stokut të investimeve
Banka e Shqipërisë vlerëson se në fund të vitit 2025 stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në 2.63 miliardë euro, duke u rritur me 29 për qind në krahasim me një vit më parë. Në dekadën e fundit, ky stok është rritur pothuajse 17 herë, i ndikuar jo vetëm nga flukset e reja, por edhe nga ndryshimet në kursin e këmbimit dhe rritja e çmimeve të pronave.
Sektorët e tjerë të investimeve
Sektori i dytë për nga pesha në investimet e huaja direkte ishte ai i shërbimeve financiare, me 291 milionë euro ose rreth 18 për qind të totalit, duke shënuar një rritje të lehtë prej 1.4 për qind. Investimet në këtë sektor mbështeten nga fitimet e larta të bankave dhe kërkesat më të forta rregullatore për kapital, ndërsa gjatë vitit të kaluar dy subjekte të reja morën miratim paraprak për licencim. Stoku i investimeve në këtë sektor vlerësohet në rreth 1.91 miliardë euro.
Pas tij renditet sektori i tregtisë, me 162 milionë euro investime, ose rreth 10 për qind të totalit, duke u rritur me 51 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja lidhet kryesisht me blerjet e realizuara nga biznese nga Kosova në tregun shqiptar, ndërsa stoku i investimeve në këtë sektor ka arritur në 934 milionë euro.
Rënie në energji dhe industri nxjerrëse
Ndërkohë, investimet në industrinë nxjerrëse ranë në 161 milionë euro, 25 për qind më pak se një vit më parë, duke mbetur kryesisht të lidhura me aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum dhe në një masë më të vogël me investitorë të tjerë minerarë. Stoku i investimeve në këtë sektor arriti në 2.72 miliardë euro.
Edhe sektori energjetik shënoi rënie, me investime prej 107 milionë eurosh, 38 për qind më pak krahasuar me vitin 2024, megjithëse mbetet sektori me stokun më të madh të investimeve të huaja direkte, në 3.84 miliardë euro.
Rekord i përgjithshëm i investimeve të huaja
Në total, investimet e huaja direkte në Shqipëri gjatë vitit 2025 arritën një rekord historik prej 1.65 miliardë eurosh, me një rritje prej 1 për qind krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar interesin në rritje të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)